Vizat, Topi: Vendim historik i PE-së

07/10/2010 12:10

Presidenti i Republikës Bamir Topi falenderoi Parlamentin Evropian për vendimin historik, duke i hapur rrugë kështu lëvizjes së lirë të shqiptarëve.

Në një deklaratë publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i vendit shprehu edhe shqetësimin mbi disa zhvillime politike të kohëve të fundit.

“Jam këtu me cilësinë e Presidentit të Republikës, për të shprehur shqetësimin tim të thellë mbi disa zhvillime politike të kohëve të fundit, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me aktorët politikë, por me Shtetin, demokracinë dhe interesat e publikut të gjerë qytetar”, thuhet në deklaratë.

Presidenti shprehet se vërtetësia e akuzave është atribut vetëm i drejtësisë dhe organeve që parashikon Kushtetuta.

“Fushata e akuzave dhe kundërakuzave nuk është më çështje e partive, është çështje e Shtetit, e demokracisë dhe e sistemit tonë politik. Sepse ky zhvillim i ri po lë në hije prioritetet politike që duhej të kishte qeverisja dhe politika ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe nga ana tjetër, nuk mund të mos lërë pasoja në imazhin e demokracisë, Shtetit dhe të vetë Shqipërisë në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thotë Presidenti.

Kreu i vendit kërkon gjetjen e rrugëzgjidhjeve të shpejta, transparente dhe të besueshme.

“Në emër të këtij interesi madhor jam këtu për t’i apeluar të gjithë klasës politike, sidomos partive politike të përfaqësuara në parlament, që me konsensus të gjerë ose me nisma individuale, të bëjnë të mundur heqjen e pengesës së imunitetit parlamentar për të gjithë deputetët”, tha presidenti.

Top Channel