
Deputeti i sapolarguar nga Partia Demokratike, Paulin Sterkaj ka folur në “Top Story” për fillesat e tij në politikë dhe momentin delikat të vitit 2007 kur votoi për kandidaturën e Bamir Topit për president.
Ai shprehet se ka qenë kryetari socialist, Fatos Nano që pranoi kërkesën e tij për të hyrë në politikë. “Nano për 30 sekonda ra dakord me mua. Në atë kohë ai ishte në burgun e Bëncës. Kishte garancinë time sepse një punë e coj deri në fund”, theksoi Stërkaj. Në vijim ai u përqëndrua në situatën që po kalon zona e tij elektorale.
“Malësia e Madhe është një zonë e madhe në llojin e vet. Në Malësinë e Madhe nuk ka asnjë votë të vjedhur dhe asnjë votë të kamufluar. Në katër vite kur kam qenë i PS-së dhe 2 vjet i pavarur, unë nuk kam dalluar asnjë malsor të djathtë dhe të majtë, për mua ata kanë qenë njerëz. Vjen një qeveri heq një administratë, por unë nuk bëj pjesë në këtë model. Gjithmonë në radhët e policisë unë 4 policë kam larguar nga puna. Asnjë individi në Malësinë e Madhe nuk i kam premtuar vende pune. Atij komuniteti do t’i shërbej gjithë jetën edhe kur të mos jem deputet”, shton deputeti, aktualisht pa parti.
Më tëj, Paulin Sterkaj foli edhe për momentin e zgjedhjes së presidentit në vitin 2007 kur ai u përjashtua nga PS-ja për shkak të votës në favor të Bamir Topit. “Isha për t’u bërë president Fatos Nano sepse i kisha një detyrim moral. Kur iku Nano dhe u fut Ceka e pata me dyshim punën. Nuk doja që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Mund të votoja Cekën por atij i mungonin 82 vota, ndërsa Bamirit vetëm 2”, shton Sterkaj.
Top Channel