Stërkaj: Mbështeta Berishën për integrimin e vendit

07/10/2010 22:20

Në vazhdën e fjalës së tij në Top Story në Top Channel, deputeti i Malësisë së Madhe, Paulin Stërkaj foli për lëvizjen e tij politike për të braktisur Partinë Demokratike dhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin Berisha.

Zoti Stërkaj tha se për 1 vit ka qendruar si deputet i pavarur, e më pas vendosi krijimin e një grupi parlamentar që sipas tij pranoi të votojë të gjitha ligjet që i shërbenin integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Stërkaj tha se kalimi i tij në radhët e PD-së nuk ka qënë një kërkesë e tij, por një ftesë nga kryeministri Berisha.

“Kam qënë një vit deputet i pavarur më pas krijova një grup parlamentar dhe vendosëm të mbështesim të gjithë ligjet që i shërbenin integrimit të vendit. Ka qënë zoti Berisha që më ka kontaktuar mua. Kam 8 muaj pa e takuar kryeministrin Berisha”, tha deputeti Stërkaj.

I pyetur mbi hapjen e kutive dhe për qendrimin e tij nëse është pro apo kundër hapjes së tyre nga KQZ në zonën e tij zgjedhore, Stërkaj tha se është i hapur për hapjen e kutive të votimit në Malësinë e Madhe dhe i apeloi KQZ-së të hetojë kutitë në këtë zonë. Sipas tij zgjedhjet në Malësinë e Madhe kanë qënë zgjedhje korrekte.

“Në zonën time i garantoj dhe i bëj thirrje kryetarit të KQZ-së të hape kutitë e Malesisë së Madhe, ka qënë zgjedhje korrekte”, shtoi më tej Stërkaj.

Pyetjes nëse ka patur presione për levizjen e tij politike zoti Stërkaj u mjaftua me përgjigjen se ai “përballon çdo lloj presoni”.

Top Channel