
Deputeti i larguar nga Partia Demokratike, Paulin Sterkaj ndodhet pranë rikthimit në partinë e tij të dikurshme, atë Socialiste.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Sterkaj, në një intervistë të dhënë në emisionin “Top Story” në Top Channel.
“Unë nuk shkoj pa u sqaruar problemi im në PS. Por unë do mbështetem tek ai krah që bën opozitë të fortë. Pa tjetër që jam më pranë PS-së”, ka deklaruar Sterkaj.
Ai ka theksuar se për sa kohë do të jetë në Parlament do të punojë për shqiptarët, në vecanti për ata të zonës së tij, Malësinë e Madhe.
“Sa të jem në Parlament, vota ime s’do ndëshkojë asnjë shqiptar”, duke shtuar se lëvizja e tij nuk ka qëllime përfitimi.
“Askush nuk mund të thotë se Sterkajn mund ta blejë apo mund ta shesë dikush. Unë nuk kam vajtur tek asnjë politikan i fuqishëm për të kërkuar punë për njerëzit e mi. Asnjë nga familjarët e mi nuk është në pushtet”, ka shtuar Sterkaj.
Më tej, i pyetur lidhur me qëndrimin e tij kur u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, Sterkaj ka mohuar zërat se ka votuar Bamir Topin në këmbim të favoreve.
“Kur u bë debati për zgjedhjet presidenciale, shumë vetë mu afruan dhe më thanë të jap votën në këmbim të ndonjë posti ministri. Unë kam thënë se do të votoj për presidentin, për interesin e vendit”, ka shtuar Sterkaj.
Top Channel