Salihi: Bosnja, jo e pakalueshme

07/10/2010 15:15

Hamdi Salihi shfaqet optimist për sfidën e së premtes kundër Bosnjë-Hercegovinës. Sulmuesi shkodran, i cili është shndërruar në një prej lojtarëve kyç të përfaqësueses me trajnerin Josip Kuzhe, nuk i sheh si të pathyeshëm kundërshtarët e ardhshëm të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2012.

“Nga përfaqësuesja boshnjake mund të them se njoh më mirë repartin sulmues sesa anën e tyre difensive. Gjithsesi, nuk mendoj se janë një ekip i pakalueshëm dhe kjo është një arsye përse besojmë se mund të marrim rezultat pozitiv të premten”, deklaroi “bomberi” i Rapidit të Vjenës.

“Nëse do të mendonim se janë të pathyeshëm do të kënaqeshim me një humbje minimale. Gjithsesi, edhe pse e kemi të qartë se kundërshtarët kanë një ekip të mirë dhe me kualitete, ne shpresojmë te rezultati pozitiv. Për këtë jemi shumë të bindur”. Shqipëria vjen në këtë sfidë me një ecuri pozitive prej shtatë ndeshjesh, gjatë të cilave ka pësuar vetëm një gol. Salihi është përqendruar te kjo pjesë, duke theksuar se kuqezinjtë do të kërkojnë të ruajnë vazhdimësinë.

“Si në jetë, ashtu edhe në futboll pjesa më e vështirë është vazhdimësia. Unë personalisht, por edhe ekipi, do të mundohemi që ta ruajmë dhe ta shtrimë më tej vazhdimësinë e rezultateve pozitive edhe në këto dy ndeshje. Goli? Normalisht opinioni dhe tifozët presin që golat t’i shënojnë sulmuesit, por si e ka thënë edhe Eri (Bogdani) më parë, ne jemi një ekip kompakt: mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë. Rëndësi ka rezultati, pak rëndësi ka kush e shënon golin. Bast për fitore? Nuk vë baste për asnjë ndeshje tjetër, e mbi të gjitha jo për një sfidë shumë të vështirë si kjo me Bosnjën”, përfundoi Salihi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA