Fadromat e komunës së Prishtinës do të kenë ende shumë punë. Të gjitha ndërtimet të cilat janë bërë në kryeqytetin kosovar pas datës 19 gusht, kur dhe është bërë fotografimi satelitor i gjithë zonës së Prishtinës, do të shëmben.

Për shumë ndërtues të këtyre objekteve pa leje, veprimi i komunës së Prishtinës është i padrejtë. Ata thonë se, komuna po rrënon objektet e atyre që nuk kanë krahë të fortë dhe po i mbyll sytë ndaj qendrës së kryeqytetit, së cilës po ia marrin frymën ndërtimet.

Shembja e objekteve po bëhet me ndihmën e policisë, për shkak të sulmeve të shpeshta verbale, por edhe fizike ndaj zyrtarëve që e kryejnë këtë punë.

Megjithatë, komuna paralajmëron se rrënime të tilla do të këtë çdo ditë. Për të njëjtat arsye, komuna nuk do të kursejë as pjesën e shtuar pa leje në hotelin “Grand”, në qendër të Prishtinës.

Ndërkohë, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Musafa ka paralajmëruar edhe vendosjen e gjobave.

Top Channel