Masterat profesionalë, kuotat dhe tarifat për 2010

07/10/2010 08:25

Këshilli i Ministrave miraton kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë.

Pranimet për specializimet pasuniversitare master profesional do të jenë 6480. Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master profesional” janë 6190.

Kuotat për programe të dyta studimi për këtë vit do të jenë 100. Kuotat për transferimin e studimeve janë po 100. Të drejtat e studimit pasuniversitar për të huajt do të jetë 50. Ndërkohë që kuotat për të verbrit për romët/ballkano – egjiptianët do të jenë 20.

Vendimet

Sipas vendimit të qeverisë, kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master profesional”, shpërndahen sipas programeve të studimit dhe institucioneve publike të arsimit të lartë.

Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë, ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit: Republika e Kosovës, Maqedoni, Mal i Zi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Administrimi i këtyre kuotave kryhet në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve dhe akteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë.

Këto kuota pranimi, të ndara sipas programeve të studimit dhe institucioneve publike të arsimit të lartë, për çdo program studimi, janë në masën 10% të kuotës përkatëse.

Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve dhe i bëjnë ato publike paraprakisht.

Kandidatët, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër/të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë romë, ballkano – egjiptianë, jetimët apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve, të rënë për shkak të detyrës e të ish – të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit.

Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale.

Tarifat

Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, pagesa e së cilës bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë rregullisht studimet.
Në çdo program studimi, të ciklit të dytë të studimeve, “Master profesional”, në vitin akademik 2010-2011, studentët e vitit të parë, që kanë përfunduar me medalje të artë ciklin e parë të studimeve dhe studentët e vitit të dytë që kanë përfunduar shkëlqyeshëm vitin e parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik 2010-2011.

Transferimet e studimeve, në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bëhet nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore, në statutin dhe rregulloret e tyre.

Rishpërndarja e kuotave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të cilat mbeten të parealizuara, bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me institucionet publike të arsimit të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA