Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc/ Ndërpritet seanca, mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës po shtohen zërat kundër vazhdimit të aleancës qeverisëse me Partinë Demokratike të Kosovës.
Përveç Isa Mustafës pak kohë më parë, së fundmi është edhe deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi që kërkon të dilet nga koalicioni me PDK-në.
“Kjo marrëveshje prej ditës kur është larguar Sejdiu, si nënshkrues i saj, për mendimin tim është jolegjitime”, ka deklaruar ai.
Sipas Rexhepit, deri në institucionet e reja, Kosova duhet të ketë një qeveri teknike. Por, deklarata e tij mbetet vetëm e tij, e jo edhe e LDK-së.
“Është e drejtë e zotit Rexhepi që të flasë në emër të vet, pra si deputet i Kuvendit të Kosovës. Nuk dëshiroj ta komentoj këtë deklaratë sepse për këtë çështje nuk vendos as Fatmir Rexhepi e as Ismet Beqiri, por për këtë çështje vendosin strukturat e partisë dhe tani për tani është kjo situate që është”, ka deklaruar Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.
Ndërsa në anën tjetër, PDK vlerëson se koalicioni mund të vazhdojë të qëndrojë në fuqi derisa të mbahen zgjedhjet e reja.
“Deklaratat permanente të LDK-së deri më sot kanë qenë që koalicioni në qeveri vazhdon. Dhe ata bëjnë përgatitjet e tyre për Kuvendin dhe për çështjet e tyre të brendshme”, është shprehur anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Halili.
Në anën tjetër, ndonëse PDK dhe LDK do të mbajnë aleancën ndërmjet tyre deri në rezultatin e ri të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, këto parti vazhdojnë të kenë dallime për kohën se kur do të mbahen ato.
PDK mbështet fundin e janarit, apo fillimin e shkurtit, ndërsa në LDK thonë se zgjedhjet duhet të mbahen në marsin e 2011-ës.
Po ashtu, konsultimet për përcaktimin e datës së zgjedhjeve janë duke vazhduar. Të premten, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi do të mbajë një takim të përbashkët me partitë parlamentare, ku sipas tij, pritet të qartësohet gjithçka në këtë drejtim.
Top Channel