Buzek: Tani reforma të thella

07/10/2010 19:35

Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek përshendeti liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen.

Por, përmes një komunikate për shtyp, ai u bën thirrje lidershipit të të dy vendeve të Ballkanit që të punojnë më shumë për integrimin europian.

“Ky sinjal pozitiv duhet të shërbejë për të krijuar një vrull të ri në gjirin e udhëheqjes politike të këtyre dy vendeve, për të ndermarrë reformat e vështira, por të detyrueshme në qoftë se ata duan të vazhdojnë marshimin e tyre drejt integrimit europian”, ka deklaruar Buzek.

Ai ka theksuar se ka ende një sërë cështjesh të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje, në vecanti pavarësia e gjyqësorit dhe kalimi i krizës politike.

“Mungesa e respektit për sundimin e ligjit në nivele të ndryshme, kërcënimet për pavarësinë dhe efektivitetin e gjyqësorit, si dhe përkeqësimi i mëtejshëm i klimës politike mes vetë forcave politike, janë problemet që ndikojnë në të dy vendet dhe që duhet të adresohen me vendosmëri”, ka nënvizuar Buzek.

Kreu i legjislativit europian kujton rënien e murit të Berlinit dhe shprehet në fund të komunikates për shtyp se, “procesi i liberalizimit të vizave me Ballkanin na bën dëshmimtarë për ekzistencën e një tjetër muri që ndante popullin europian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA