Bogdani nuk fshihet: Moment i vështirë

07/10/2010 15:10

“Është e kotë ta fshehim, aktualisht jemi në një moment të vështirë”. Kështu mendon Erjon Bogdani, sulmuesi shtatlartë i kuqezinjve, i cili nuk mundohet ta mbulojë me optimizëm mungesën në stol të trajnerit të sëmurë, Josip Kuzhe dhe të Debatik Currit të dëmtuar në mbrojtje.

“Them se sfida me Bosnjën është ndeshja më delikate për skuadrën tonë, sepse do të luajmë kundër Bosnjës dhe na mungon trajneri ynë. Po ashtu na mungon edhe Curri, që është një nga lojtarët kryesorë të Kombëtares. Nuk e di në do të ndikojë negativisht. Por nuk duhet t’i fshehim gjërat. Na mungon trajneri i parë, pasi Kuzhe e ka mënyrën e tij të punës, na njeh më mirë, njeh mënyrën tonë të stërvitjes. Është trajneri kryesor, është e kotë ta mohojmë”.

Megjithatë, sulmuesi 33-vjeçar i Çezenës, autor i 12 golave me bluzën kuqezi në 52 takime të luajtura, mendon se këto gjëra “duhet të na bëjnë më të fortë, sepse të gjithë e dimë se është një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme”. Në lidhje me gjendjen e trajnerit Bogdani kërkon të tregohet realist: “Sot (dje) në mëngjes i bëmë vizitë në spital. Me sa pashë unë, ai nuk ishte në një gjendje të mirë edhe pse mjekët shprehen optimistë. Për faktin se luajmë në Tiranë, por edhe për trajnerin dhe për Currin, ne duhet të impenjohemi jo 100%, por 200%, që të marrim rezultat pozitiv. Është e kotë ta fshehim, që jemi në një moment të vështirë”.

Sëmundja e vështirë e Kuzhesë ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në profesionin e trajnerit. Por ish-sulmuesi i Kievos uron që kjo të mos ndodhë: “Është më mirë ta lëmë të qetë, sepse ka kaluar një sëmundje të rëndë. Unë si Erjon nuk e mendoj dot Kombëtaren pa Kuzhenë. Uroj që ai të shërohet, sepse gjërat më të rëndësishme në jetë janë shëndeti, familja, pastaj puna dhe shpresoj t’i japim sa më shumë lajme të mira për ndeshjet me Bosnjën dhe Bjellorusinë. Më pas shpresojmë që ai të rikthehet sa më shpejt në ekipin kombëtar. Sikurse edhe unë dhe të gjithë futbollistët e tjerë, nuk e mendojmë dot kombëtaren pa Kuzhenë”. Gjithsesi, kjo situatë nuk i heq dëshirën “Bogut”, për realizimin e objektivit në ndeshjen me një kundërshtar të fortë, të cilësuar favorit për këtë sfidë, kuqezinjtë do të provojnë dhe të thyejnë një ters: thuajse në të gjitha edicionet e fundit, Shqipëria, ndeshjen e tretë në grup ose e ka humbur ose e ka barazuar.

“Ne do të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv, që do të na jepte vazhdimësi pas atyre rezultateve të mira në miqësore, por edhe ato në dy ndeshjet zyrtare, ndaj Rumanisë e Luksemburgut, thekson ai. Përballë kemi një ekip shumë të fortë, që ka lojtarë shumë të mirë, të cilët luajnë në klube të mëdha në Europë. Megjithatë, objektivi ynë minimal në ndeshjet kundër Francës, Rumanisë dhe Bosnjës është të mos humbim”. Për realizimin e këtij synimi ai beson te skuadra e cila ka përparuar shumë vitin e fundit. “Të gjithë ne sulmuesit kemi shënuar në ndeshjet e fundit. Megjithatë, mund të them se jemi rritur shumë si ekip dhe përveç sulmit shumë ndihmesë ka dhënë edhe mbrojtja, pasi nuk kemi pësuar shumë gola. Prandaj them se jemi bërë ekip. Luajmë mirë në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm. Kjo është edhe aftësia e trajnerit dhe aftësia e ekipit që zbaton detyrat që jep trajneri”, përfundoi ai.

Top Channel