Bashkia, rrjet për punësimin social

07/10/2010 08:30

Një platformë e përbashkët sociale e Bashkisë së Tiranës dhe organizatave, shoqatave që veprojnë në fushën e formimit profesional dhe të punësimit, kryesisht për kategoritë sociale më në nevojë, si dhe aktorëve të tjerë që ushtrojnë pjesë të aktivitetit të tyre në këtë fushë, jetësoi ngritjen e rrjetit për punësim social.

Kjo do të jetë si pjesë e shërbimeve sociale të integruara që Bashkia e Tiranës ka si synim të zbatojë përgjatë këtij viti dhe vitit 2011.

I pranishëm në lançimin e këtij rrjeti social, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, vlerësoi rëndësinë e domosdoshmërinë e këtij shembulli në shoqërinë tonë, duke e cilësuar njëkohësisht ngritjen e tij si një pikë e vyer referimi, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së jetës së komunitetit.

“Unë dëshiroj që në radhë të parë të shpreh respektin, madje admirimin tim për këtë qendër ku jemi mbledhur sot dhe për punën këmbëngulëse plot durim dhe pasion që zhvillohet në këtë qendër për të integruar të rejat dhe të rinjtë me probleme nga më të ndryshmet në rrugën e punës dhe ngritjes morale dhe shoqërore”, tha kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama.

Me ngritjen e rrjetit për punësim social, Bashkia e Tiranës u kërkon ofruesve të formimit profesional dhe punësimit, të vazhdojnë të kenë në fokus të tyre trajnimin profesional dhe punësimin e të rinjve, grave me probleme sociale, personave me aftësi të kufizuara, jetimëve, romëve dhe ish të droguarve, si kategoritë sociale që kanë më shumë vështirësi aksesi në tregun e punës e si rrjedhojë kanë nevojë për më shumë mbështetje.

Përveç përfshirjes së përfituesve në programet lokale të punësimit të Bashkisë së Tiranës dhe rrjetit, ky i fundit do të punojë edhe për ndërmjetësimin e punësimit në punëdhënës të tjerë publikë, privatë, pasi do të krijojë mundësi koordinimi të punës midis qendrave që përgatisin profesionalisht dhe bizneseve lokale, duke realizuar kështu punësimin, si dhe duke detektuar nevojat që ka tregu për profesionistë të fushave të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA