
Mjaftoi vetëm një natë reshjesh për të rikthyer sërish alarmin në kaskadën e Drinit. Ministria e Energjetikës, lëshoi në orët e para të mërkurës një njoftim urgjent mbi gjendjen në hidrcoentrale, ku lajmëroi se tashmë kanë filluar shkarkimet përmes portave të emergjencës.
Prurjet në Fierzë kanë arritur në 800 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli i liqenit është 285.1 metër. Në hidrocentralin e Komanit, prurjet janë rreth 1 mijë metër kub në sekondë dhe niveli i ujit ka arritur gati pikën maksimale prej 174.16 metër vetëm 85 centimetra larg pikës kritike.
Në Vaun e Dejës situata është edhe më shqetësuese. Prurjet në këtë hidrocentral janë 1500 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli i ujit është vetëm 25 centimetër poshtë pikës kritike. Në këtë hidrocentral që është edhe i fundit i kaskadës janë hapur portat e sigurisë dhe po shkarkohet 800 metër kub ujë në sekondë, sipas të dhënave të Ministrisë së Energjetikës.
Edhe pse prurjet atuale në kaskadë janë mbi dy herë më të ulëta se ato të janarit, kur vendi u përball me përmbytje masive, sërish situata po paralajmëron rrezik. Për shkak të situatës së mirë hidrike gjatë këtij viti uji në liqene ndodhet në nivele të larta, si ato të fundit të vitit të kaluar dhe do të mjaftonin disa ditë reshjesh për të rikthyer sërish problemet në kaskadë.
Top Channel