Elbasan, rrezikojnë përmbytjen 300 familje

06/10/2010 08:20

Dëmtimi dhe amortizimi i argjinaturës mbrojtëse të përroit të Zaranikës, paralajmëron përmbytjen e qytetit të Elbasanit.

I shtrirë në lindje të tij, Zaranika, vazhdon të mbetet rrezik për qytetarët dhe një nga problemet imediate të Drejtorisë Rajonale të Bordit të Kullimit, pasi baza më e madhe e argjinaturës së tij është e shkatërruar.

Drejtori i Bordit të Kullimit, Kushtrim Aliaj, deklaroi se: “Vitet e fundit është riparuar rreth 30 për qind e përroit”, ç’ka lë të kuptohet, se pjesa më e madhe e shtratit të tij, të jetë e parehabilituar. Aktualisht, diga mbrojtëse e përroit është jashtë funksionit edhe për shkak të firmave të ndryshme apo qytetarëve anonimë, të cilët hedhin mbeturina inerte mbi pragun e shkarkuesit”. Sipas tij, një dukuri e tillë siç ka ndodhur rëndom për çdo vit rrezikon përmbytjen e 300 familjeve, në rast shirash.

Në këtë kuadër, Aliaj i ka kërkuar Prefektit të Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, që të marrë masa për të ndërhyrë në riparimin e përroit. Nga ana tjetër, Deliallisi tha se i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë që të akordojë një fond për rehabilitimin e Përroit të Zaranakiës, para se të nisin shirat në stinën e dimrit, por ende nuk ka marrë përgjigje konkrete.

Sipas specialistëve, për rehabilitimin e përroit të Zaranikës duhet të paktën një investim prej 5 milion Eurosh, ku përfshihet restaurimi i digës, argjinaturës, si edhe krijimi i një shtrati të ri prej rreth 1.5 kilometra. Përroi i Zaranikës është një nga degët kryesore të lumit Shkumbin, me një gjatësi prej pesë kilometrash dhe si pasojë e prurjeve sa herë që bien reshje të shumta në Elbasan dhe në zonat rurale, ai ka rrezikuar përmbytjen e lagjeve Veriore dhe Veriperëndimore të qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA