Duro: Bosnja nuk na tremb

06/10/2010 11:20

Klodian Duro thekson se Shqipëria nuk është e trembur nga Bosnjë-Hercegovina përpara sfidës së 8 tetorit në “Qemal Stafa”. Mesfushori deklaron se kuqezinjtë duhet të vazhdojnë ecurinë pozitive, ndërsa thekson se përfaqësuesja duhet të shfrytëzojë faktorin fushë.

Çfarë impakti patën problemet shëndetësore të trajnerit Kuzhe në Kombëtare?

Është vërtet për të ardhur keq, sepse kjo ndodhi në mënyrë të papritur, mbi të gjitha në një moment kur ecuria e skuadrës ishte mjaft pozitive. Por, në radhë të parë jemi të interesuar për shëndetin e trajnerit tonë: shpresojmë që t’i rikthehet jetës profesionale. Urojmë që sa më shpejt të bëhet mirë, për veten dhe për familjen e tij. Ne do të japim maksimumin që çdo gjë të shkojë sa më mirë, të jemi të përqendruar, deri në ditën e premte kur do të luajmë me Bosnjën, e cila është sfida kryesore e këtij grumbullimi.

Bosnja është një kundërshtar mjaft i fortë, mbi të gjitha në fazën ofensive…
Përpara se të mendojmë për Bosnjën, duhet të përqendrohemi te ekipi jonë. I kemi nisur mirë kualifikueset dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë edhe kundër Bosnjës. Kundërshtarët kanë në ekipin e tyre lojtarë të cilët kanë peshë në skuadrat ku luajnë. Megjithatë, kjo nuk na tremb, sepse ne kemi ditur të luajmë mirë e të marrim rezultate pozitive edhe kundër ekipeve të mëdha në të kaluarën.

A do të hyjë Shqipëria në fushë vetëm për fitore?
Ne do të futemi në fushë të bëjmë lojën tonë. Në futboll të tre rezultatet janë të mundshme. Luajmë në shtëpi dhe nuk duhet të gabojmë: do të japim maksimumin dhe nëse na jepet mundësia do të fitojmë. Natyrisht që objektivi kryesor është të mos pësojmë humbje në këtë ndeshje, që të vazhdojmë ecurinë në grup. Siç e shihni edhe ju, si Franca, ashtu dhe Rumania kanë lënë pikë. Të gjitha ndeshjet duhet t’i marrim një nga një dhe do të jemi në rrugën e duhur.

Në vend të trajnerit Kuzhe, në stol do të qëndrojë Mustedanagiç…
Me Xhemon, si edhe me Kuzhenë, ne jemi përshtatur mirë. Ai ka një karrierë të gjatë. Ka një emër për t’u respektuar në Ballkan dhe Europë. Të gjithë djemtë e ekipit janë të kënaqur dhe ndihen mirë me të. Gjatë këtyre dy ditëve të grumbullimit mungesa e Kuzhesë nuk është ndier shumë, pasi gjithçka vazhdon si gjithmonë me Xhemon. Puna jonë është që të bëjmë një ndeshje të mirë. E mira ishte që të fitojmë për momentin që po kalojmë. I gjithë populli shqiptar do të ndihej mirë nëse fitojmë me Bosnjën, mbi të gjitha edhe për faktin se trajneri ynë ndodhet në spital.

A ka ardhur momenti që ta hedhim hapin e madh? Çfarë duhet të bëjë Kombëtarja më tepër?
Çdo ndeshje ka veçoritë e saj. Në këto momente nuk duhet të bëjmë asgjë më tepër, por të vazhdojmë me atë harmoni dhe kolektivitet që është krijuar. Kemi arritur të bashkohemi me njëri-tjetrin si futbollistët, ashtu edhe stafi. Në këtë ndeshje duhet të jemi të qetë dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Sigurisht që në një ndeshje futbolli nevojitet edhe fat. Duke u shtuar të gjitha këtyre edhe mbështetjen e tifozëve tanë, besoj se do të arrijmë të marrim maksimumin.

Në Rumani keni luajtur në krahun e djathtë, ndërsa me Luksemburgun, kur kërkohej lojë sulmuese, u aktivizuat në qendër. Ku e shikoni veten në këtë ndeshje?
Do të jap maksimumin tim, pavarësisht rolit ku do të luaj. Çdo lojtar i Kombëtares është i nderuar që vesh këtë fanellë dhe duhet të japë maksimumin.

Top Channel