Xhaferri: Kuzhe nuk do të jetë të premten në stol

05/10/2010 14:50

Trajneri i kombëtares shqiptare është vizituar ditën e martë në Spitalin Amerikan nga ministri i Sporteve Ferdinand Xhaferri.

Pas një takim disa minutëshe ministri Xhaferri ka deklaruar për mediat se gjendja shëndetësore e trajneri kroat është e përmirësuar në krahasim me ditët e kaluara. Ashtu si grupi i mjekëve të këtij spitali edhe ministri i Sporteve ka pohuar se Kuzhe nuk do të jetë në fushë ditën e ndeshjes, përballë Bosnje Hercegovinës.

Trajneri i kombëtares shqiptare u shtrua ditën e enjte në Spitalin Amerikan në Tiranë pasi u godit nga një hemoragji cerebrale. Në fillim u mendua se ai do të dërgohej jashtë vendit për kurim, por pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të tij u vendos që Kuzhe të qëndrojë në Shqipëri.

Në ndeshjen e të premtes, kombëtarja shqiptare do të drejtohet nga zëvendësi i Kuzhes, Xhemal Mustedanagic dhe drejtori teknik i FSHF-se, Astrit Maci.

Top Channel