Mustedanagiç: Jap shpirtin për fitoren kundër Bosnjës

05/10/2010 12:10

Një boshnjak kërkon t’i japë fitoren Shqipërisë në sfidën e 8 tetorit përballë Bosnjë-Hercegovinës. Xhemal Mustedanagiç, njeriu që do t’i drejtojë kuqezinjtë në dy sfidat e ardhshme eliminatore, ka theksuar se do të jepte gjithçka që ka në shpirt për të mposhtur përfaqësuesen e vendlindjes.

Ai është bashkëpunëtori më i besuar dhe krahu i djathtë i trajnerit Josip Kuzhe, e njeh shumë mirë kundërshtarin që do të zbresë të premten në “Qemal Stafa”, pasi i ka studiuar me detaje ndeshjet e fundit të skuadrës së Sushiç.

“Sa e vështirë është kjo sfidë për mua? Është e vërtetë që unë kam lindur në Bosnjë, por do të jepja gjithçka që kam në shpirtin tim për ta fituar këtë ndeshje”, ishte deklarata e Mustedanagiç në konferencën për shtyp nga grumbullimi i përfaqësueses shqiptare. Zv.trajneri nuk është shprehur aspak i frikësuar nga “detyra” e re: “Jam i lindur dhe banor i Bosnjës. E njoh jashtëzakonisht mirë këtë skuadër dhe për më tepër kam studiuar shumë ‘DVD’ të ndeshjeve. Edhe me trajnerin Kuzhe kemi folur shumë për të gjithë kundërshtarët e grupit tonë. Për këtë arsye jam shumë i informuar për rivalët, ashtu si edhe për ekipin e Bosnjës”.

Natyrisht që objektivi mbetet arritja e një rezultati pozitiv, ku barazimi do të ishte i pranueshëm, por Xhemal Mustedanagiç thekson se Shqipëria do të futet në fushën e lojës për të fituar. “Bosnja është një skuadër cilësore. Me përbërjen që kanë, duhej të ishin të paktën të dytët dhe jo të ndanin vendin e tretë me Francën, siç ndodh aktualisht. Ndërsa Shqipëria niset nga vendi i pestë dhe shpresojmë të ngjitemi një shkallë më lart. Bosnja paraqitet si favorite në këtë ndeshje, megjithatë ekipi shqiptar është bërë pjesë e futbollit të vërtetë europian. Për këtë arsye askush nuk e ka të lehtë në Tiranë. Së fundmi kemi luajtur mjaft mirë. Besoj se ndeshja e së premtes do të jetë shumë e mirë dhe do të luftojmë deri në fund për rezultat. A do të isha i kënaqur me një barazim? Duke e ditur që Bosnja është një nga favoritet, do të isha i kënaqur edhe me një barazim, por ne do të luftojmë për maksimumin”. Trajneri Josip Kuzhe do ta ndjekë sfidën në Tiranë nga televizori, megjithatë FSHF-ja ka menduar t’i krijojë mundësitë që ai të ndërhyjë gjatë 90-minutave, duke komunikuar me stafin teknik të përfaqësueses. Mustedanagiç shtoi: “Ka mënyra të ndryshme se si mund të realizohet diçka e tillë, por këtë do ta mendojmë më vonë. Nëse Kuzhe do të jetë mirë, nuk ka arsye përse të mos e shohë ndeshjen nga televizori. Me tipin që ka Josip, jo vetëm që do ta shikojë ndeshjen, por ka mundësi që nesër ose pasnesër ai të paraqitet në grumbullim. Ne si staf teknik edhe lojtarët mendojmë vetëm një gjë: që trajneri Kuzhe të bëhet sa më mirë dhe të kthehet shpejt te ne”. Për gjendjen e kuqezinjve, zv.trajneri deklaroi: “Curri do të na mungojë shumë kundër Bosnjës, por do të bëjmë gjithçka që t’u bllokojmë kundërshtarëve sulmuesin më të fortë. Forma e sulmuesve? Është mjaft pozitive që lojtarët tanë janë në formë dhe që shënojnë me klubet e tyre”.

Top Channel