“EULEX-i do të vazhdojë punën pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në Kosovë”. Këtë deklaroi shefi në largim i EULEX-it, Yves de Kermabon, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me pasardhësin e tij në këtë detyrë, Xavier Bout de Marnhac, duke përsëritur mesazhin se askush nuk është mbi ligjin dhe çdo person i përfshirë në korrupsion, një ditë do ballafaqohet me drejtësinë.

Sipas tij, misoni europian i rendit dhe ligjit ka përkrahje të gjërë nga qytetarët, të cilët vullnetarisht ofrojnë prova për raste të dyshimta.

Në prag të nisjes së dialogut të shumëpërfolur mes Prishtinës dhe Beogradit, Kermabon u shpreh se bashkëpunimi në nivel teknik mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm, çfarë e vërtetoi dhe arrestimi i një dite më parë i dy serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Jemi munduar që të vendosim lidhje të përbashkëta teknike me vendet fqinje të Kosovës, mes të cilave dhe Serbia. Une isha në Beograd javën e kaluar, dhe ndryshe nga ç’thuhet, Beogradi është i interesuar për luftën ndaj krimit të organizuar. Në aspektin praktik dhe për të mirën e popullatës, ne duhet të vendosim lidhjet teknike mes dy vendeve për të qenë më efikas, dhe do të shmangim çfarëdolloj ndërhyrje politike për këtë çështje. Është vetëm për të qenë më efikas. Ndoshta nuk e dini, por të dy personat e arrestuar ishin në kërkim jo vetëm për BE-në, por dhe nga Serbia, ndaj kjo është një luftë e përbashkët kundër krimit të organizuar.”, tha shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon.

Yves de Kermabon drejton misionin deri në 15 tetor. Pas kësaj date, shef i EULEX do të jetë zyrtarisht gjenerali francez, Xavier Bout De Marnhac.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA