Kombëtarja, kompletohet grupi anti-Bosnjë

05/10/2010 13:30

Dëmtimi i Debatik Currit dhe fatkeqësia e trajnerit Josip Kuzhe kanë ardhur si një rrufe në qiell të hapur për Kombëtaren, e cila është në prag një prej ndeshjeve më të rëndësishme në Grupin D eliminator të Euro 2012.

Megjithatë, pjesa tjetër e grupit e ka ndarë mendjen t’ia bëjë ‘yzmetin’ sfidës ndaj boshnjakëve, dhe fatkeqësitë shërbejnë si një stimul më shumë për t’u karikuar. Në stërvitjen e djeshme të zhvilluar në Kavajë, grupi ka qenë i përgjysmuar, ndërsa vetëm në orët e para të mbrëmjes së djeshme është kompletuar.

Zëvendëstrajneri Mustedanagiç dhe drejtori teknik i Federatës, Astrit Maçi, kanë drejtuar seancën që zgjati rreth 60 minuta. Mesfushori i Dinamos, Emiljano Vila, është stërvitur veçmas, pasi ende nuk ka kaluar dëmtimin. Ndërkohë që ekzistojnë dyshime se Lala nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Xhemal Mustedanagiç, pasi sikurse është bërë e ditur dje, mesfushori energjik i Hanoverit ende nuk është rikthyer në formën e tij optimale për të zbritur në fushën e lojës.

Top Channel