“Nëse unë jam sulmuar se kam mbajtur të dy postet, e njëjta gjë është edhe për zotin Krasniqi për të cilin unë kam shumë respekt, por ai sot është ushtrues i detyres se presidentit te vendit dhe sekretari i përgjithshem i PDK-së”.
Kësaj deklarate të ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhënë emisionit ‘Exclusive’ në Top Channel, i është kundërpërgjigjur ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi, i cili në të njëjtën kohë mban edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi tha se ka kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese nëse një gjë e tillë përbënë ndonjë problem. Dhe sipas tij nëse është kështu, atëherë ai do të tërhiqet edhe nga të qenit pjesë e PDK-së.
“Një gjë e di që unë nuk jam president, detyra ime është kryetar i kuvendit të Kosovës. Unë do të jepja dorëheqjen nga funksionet e mia, nëse do të votohesha si president”, tha Krasniqi.
Këtë deklaratë Krasniqi e bëri pas një takimi me një grup studentësh nga Amerika.
Duke folur për kohën se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Krasniqi informoi se po vazhdojnë konsultimet për përcaktimin e një date brenda afateve që kërkon Kushtetuta, por përjashtoi mundësinë që ato të mbahen këtë vit.
Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, në lidhje me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se, “Të gjithë janë të përgatitur që bisedimet të zhvillohen pas konstituimit të institucioneve qe dalin nga zgjedhjet e lira”. Sipas Krasniqit, i cili është edhe Kryetar i Kuvendit, njoftoi se, Legjislativi së shpejti do të nxjerrë një Rezolutë, e cila do të shërbejë si bazë për orientimin e mëtejshëm të procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel