
Një gjykatë tajlandeze ka hedhur poshtë kërkesën për rrëzimin e akuzave për pastrim parash dhe mashtrim ndaj supertrafikantit rus të armëve Viktor Bout, duke bllokuar kështu ekstradimin e tij në SHBA.
Bout do të ekstradohej në gusht, për t’u përballur në gjyq me akuzat për komplot, përmes shitjes së armëve tek një grup rebelësh kolumbianë.
Por zbatimi i këtij vendimi u shty pasi ngritja e akuzave të reja krijoi një sërë komplikimesh ligjore.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përplasur me njëra-tjetrën mbi fatin e trafikantit, të njohur ndryshe si “tregtari i vdekjes”, që prej arrestimit të tij në vitin 2008 në Tajlandë.
Pas më shumë se 15 vjet aktivitet ilegal, duke u shitur armë lordëve të luftës në Afrikë dhe militantëve islamikë, Bout u arrestua në një hotel të Bangkokut, përmes një operacioni të përbashkët të agjentëve amerikanë dhe atyre tajlandezë.
Nga ana e tij Bout i ka hedhur poshtë akuzat për afera me grupet rebele kolumbiane, por nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Mbi Bout është bërë në vitet e fundit edhe një film, ku trafikanti interpretohet nga aktori i njohur hollivudian, Nicholas Cage.
Top Channel