Bekimi i patriarkut të ri, zhvillohet ceremonia në Pejë

03/10/2010 15:20

Sot në Pejë u zhvillua ceremonia e bekimit të patrikut të 45-të të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej. Në fakt shugurimi i patriarkut ishte bërë në muajin janar në Serbi dhe kjo konsiderohet si një ceremoni simbolike. (UPDATE)

Në ceremoninë e patriarkanës së Pejës morën pjesë udhëheqës të lartë të klerit ortodoks serb si dhe presidenti serb Boris Tadiç.

Liturgjia fetare u krye nën masa të larta sigurie. Ndërkohe që në vendkalimin kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë iu refuzua hyrja në Republikën e Kosovës, Tomisllav Nikoliç, lider  i Partisë Përparimtare të Serbisë dhe 10 zyrtarëve të tjerë që ishin pjesë e këtij delegacioni.

Në një komunikatë të policisë së Kosovës shpjegohet se refuzimi nga policia dhe EULEX-i u krye me arsyetimin se ata nuk kishin paralajmëruar vizitën e tyre tek autoritetet kosovare.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Leposaviç ku u kthye prapa Velimir Iliç, lideri i Partisë Serbia e Re dhe dy shoqëruesit e tij, kthyer përmes pikës kufitare të Mërdarës.

Zhvillimi i ceremonisë së një kleriku serb në Kosovë u shoqërua me reagime të shqiptarëve. Shume qytetarë thonë se, Serbia së pari duhet t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e bëra  dhe vetem pastaj t’iu lejohet politikanëve serbë hyrja në Kosovë.

Ndërkohë që kritikohet edhe moslejimi i mediave shqiptare të Kosovës për ta ndjekur këtë ngjarje.

Pjesëmarrja e politikanëve serb dhe më shumë se 2 mijë qytetarëve nga Serbia, Bosnja e Mali i Zi është kritikuar edhe nga opozita.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA