Laçi nuk e diskuton Bylisin, fiton 3-1

01/10/2010 12:00

Laçi mposht Bylisin 3-1 në ndeshjen e parë të javës së 6 të Kategorisë Superiore, të zhvilluar dje në qytetin e Laçit, duke konfirmuar edhe një herë se është një skuadër e pakalueshme në shtëpinë e saj.

Kjo është fitorja e tretë radhazi në këto tri takimet e zhvilluara në kuadër të sezonit 2010-2011. Heroi i kurbinasve ishte sulmuesi Xheladin Selimi, autori i një dopjete në minutat 20 dhe 38 falë ekzekutimit të dy 11-metërshave), duke i ngjitur kështu në kuotën e tri golave në gjashtë javët e para. Kapiteni Amarildo Dimo shkurtoi diferencën në minutën e 61, por pa mundur të frymëzojë skuadrën për të shmangur humbjen e pestë në gjashtë ndeshje të Bylisit. Sulmuesi tjetër bardhezi, Vangjel Mile, në minutën e 89 vulosi rezultatin 3-1 (goli i tij i dytë sezonal), që e ngjiti Laçin në kuotën e 10 pikëve, po aq sa Flamurtari i vendit të dytë, por vlonjatët kanë një ndeshje më pak. Sot do të luhen edhe ndeshjet e tjera të javës së 6 të Superiores, Flamurtari-Kastrioti dhe Dinamo-Elbasani.

Top Channel