
Presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa ka deklaruar se nuk do të ketë falje për ata që u përfshinë në rebelimin e policëve kundër tij.
“Do të bëhet një pastrim i thellë në radhët e policisë kombëtare dhe unë nuk do të fal dhe as harroj atë që ndodhi”, ka pohuar Correa.
Orë më parë, Correa u lirua nga ushtria në një spital të kryeqytetit Kuito, pasi ishte bllokuar atje nga policët e pakënaqur nga politika e tij.
Presidenti po mjekohej pasi kishte thithur gaz lotësjellës, të përdorur nga policët që po protestonin kundër masave anti-krizë.
Presidenti dhe mbështetësit e tij deklaruan se revolta e policëve ndaj ligjit të ri që parashikon uljen e përfitimeve për punonjësit publikë u kthye në një tentativë për grusht shteti.
Si pasojë e revoltës, dy persona mbetën të vrarë dhe dhjetra të tjerë të plagosur. Vetë Correa ka shpallur në vend gjëndjen e jashtëzakonshme.
Top Channel