
Banorët e Dukatit janë konfrontuar me policinë e shtetit për të hyrë brenda bashkisë së Orikumit.
Në fillim të orarit zyrtar, banorët e Dukatit ishin mbledhur përpara bashkisë duke kërkuar takim me kryetarin Kanan Braho për problemin e cështjes së tyre, pra për certifikatat e pronësisë së tokave në Dukat dhe Karabrun.
Por nuk ka mjaftuar me kaq. Pas një mbledhjeje emergjente të Kuvendit të Dukatit, ata vendosën për të hyrë në bashki, gjë e cila nuk u lejua nga uniformat blu të qytetit. Janë dashur forcat speciale që gjëndja të qetësohej.
Banorët e Dukatit kanë deklaruar se sërish do të jenë pjesë e bllokimit të punës në bashki. Madje, ata janë shprehur se kryetari i bashkisë duhet të largohet nga funksioni që mban, pasi ai nuk u shërben interesave të komunitetit.
Gjithashtu, banorët pretendojnë se kreu i bashkisë u premtoi zgjidhjen e cështjes së pronës dhe se tani nuk po mban premtimin që u dha.
Në një reagim pas protestës, kryebashkiaku i Orikumit ka kërkuar që protestuesit të ankohen në institucionet përkatëse, pasi institucioni që ai drejton me ligj as nuk njeh dhe as nuk shpall prona dhe pronarë.
Ndërkohë, situata në Orikum është ende e tensionuar për shkak se pas përleshjeve banorët e Dukatit premtuan të rikthehen.
Top Channel