
Mijëra persona nga e gjithë Evropa po marrin pjesë në një protestë masive që po mbahet në Bruksel, kundër vendimit të disa qeverive evropiane për shkurtimin e shpenzimeve.
Protesta të tjera kundër masave anti-krizë po mbahen edhe në Greqi, Itali, Irlandë dhe Latvi, ndërsa në Spanjë po zhvillohet një grevë e përgjithshme që ka goditur kryesisht sektorin e transporteve.
Specialistët deklarojnë se punëtorët e vendeve të BE mund të kthehen në viktimat kryesore të krizës financiare, që ka goditur institucionet bankare dhe tregtinë.
Shumë qeveri të 27 vendeve anëtare kanë vendosur shkurtime të forta në paga, pensione dhe punësim, në mënyrë që të ulin borxhet.
Në Greqi dhe në Republikën e Irlandës papunësia rezulton më e larta në 10 vitet e fundit, ndërkohë që në Spanjë ajo është dyfishuar vetëm në tre vjet.
Në Britani qeveria po planifikon të shkurtojë shpenzimet me 25 për qind në disa zona, ndërsa Franca është përballur me protesta për shkak të vendimit për rritjen e moshës së pensioneve.
Top Channel