Liga e Kampioneve, Inter shkatërron Verderin

29/09/2010 22:45

U luajtën ndeshjet e dyta të grupeve A, B, C dhe D të vlefshme për Ligën e Kampionëve. Spikati fitorja e Interit të Benitezit 4-0 ndaj Verder Bremenit dhe ajo e Mançester Junajted 0-1 ndaj Valencias në Spanjë.

Mbajtësit e trofeut prestigjoz shënuan katër herë në portën e gjermanëve plot 3 herë me Eto’o dhe një herë me Shnajder. Kamerunasi gjeti rrjetën në minutën e 22 të takimit dhe 5 minuta më pas dyfishoi rezultatin. Në minutën e 34 holandezi Shnajder trefishoi rezultatin dhe hipotekoi fitoren e Interit që në 45 minutat e para të takimit.

Thuajse në të gjitha minutat e pjesës së dytë gjermanët u shfaqën të pafuqishëm të gjejnë golin e parë këtë takim, përkundrazi pak minuta nga përfundimi i ndeshjes ata ndëshkohen sërish nga Eto’o, gol ky që vulos rezultatin. Inter fiton 4-0.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Totenhem mundi 4-1 holandezët e Tuentes të cilët në ndeshjen e parë barazuan 2-2 me Interin. Golat u shënuan nga Van der Vart në minutën e 47, Pavliçenko në minutën e 50 e 64 dhe Garet Bale në minutën e 85 për vendasit. Për miqtë goline nderit e shënoi Naser Çadli në minutën e 56.

Në grupin B Lioni mundi në transfertë 1-3 Hapoelin e Tel Avivit ndërsa Shalke fitoi 2-0 ndaj Benfikës në Gjermani.

Kryendeshja e grupit C, ajo mes Valencias dhe Mançester Junajted u vendos nga një gol i minutës së 85, shënuar nga Hernandez për skuadrën angleze. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes skocezëve të Rejnxhërs dhe turqëve të Bursasporit përfundoi 1-0 për britanikët.

Ndërkohë në grupin D Kopenhageni fitoi në transfertë ndaj grekëve të Panathinaikosit dhe merr kryesimin e grupit me 6 pikë, kjo falë edhe barazimit të Barcelonës me Rubin Kazanin në Rusi.

Liga e Kampionëve rikthehet në 19 dhe 30 tetor, për t’i lënë vendin ndeshjeve të kombëtareve.

Top Channel