
Dita e sotme pritet të jetë një etapë e rëndësishme në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Komiteti i Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të Parlamentit Europian ka në kalendarin e vet votimin e draft-raportit për Shqipërinë dhe Bosnjën, i cili është hartuar nga raportuesja sllovene, Tanja Fajon.
Komiteti me seli në Bruksel, do të nisë punën sot paradite, në një seancë që parashikohet të zgjasë më pak se një orë gjatë së cilës eurodeputetja Fajon do të mbajë fjalën e saj, si dhe do të lexohet opinioni i përgatitur nga baronesha Sarah Ludford.
Më pas do të kalohet në një votim elektronik të dokumentit. Në thelbin e vet dokumenti i përgatitur sugjeron heqjen e regjimit të vizave për dy vendet e fundit në Ballkan që nuk e kanë këtë të drejtë, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, në një afat që është bërë i njohur se nuk do të kalojë fundvitin 2010.
“Parlamenti Europian duhet të shqyrtojë sa më shpejt propozimin për amendim të rregullores numër 539 lidhur me Shqipërinë dhe Bosnjën dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojashëm, për të vlerësuar propozimet e komisionit sa më shpejt që të jetë e mundur. Besojmë se edhe Këshilli do të veprojë me të njëjtin përkushtim. BE pritet të mundësojë lëvizjen e lirë për dy vendet e tjera brenda vjeshtës së vitit 2010”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e përgatitur nga Fajon.
Ndërkohë, edhe pse një votim formal, dokumenti pritet të shoqërohet me debate që përfaqësojnë orientime të brendshme të hapësirës europiane.
Kështu, një nga amendamentet e mundshme është edhe ai që lidhet me pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në Konferencën Islamike.
Ai është përgatitur nga eurodeputeti i majtë holandez, Daniel Van der Stoep, dhe kërkon kushtëzimin e një hapi të tillë me tërheqjen paraprake të të dyja vendeve ballkanike nga organizata e sipërcituar.
“Kjo rregullore hyn në fuqi në qoftë se Shqipëria si anëtare, dhe Bosnja si vëzhguese në Organizatën e Konferencës Islamike të heqin dorë respektivisht nga statusi i anëtarit dhe i vëzhguesit”, përcakton amendamenti në fjalë.
Gjithsesi, duke parë hapat e deritanishëm, si dhe mendimet e përgjithshme rreth çështjes përfshirë vendimin e Komisionit të Jashtëm të PE-së, ky propozim është realisht pa peshë të madhe.
Nëse çdo gjë do të shkojë normalisht, drafti do të kalojë në PE më 6 tetor, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e Brendshëm të BE-së më 9 nëntor.
Top Channel