Champions, Ajaks e Milan ndajnë nga një pikë

28/09/2010 22:35

U luajtën ndeshjet e dyta të Ligës së Kampioneve për grupet E, F, G dhe H. Kryendeshja e ditës, ajo mes Ajaksit të Amsterdamit dhe Milanit u mbyll në barazim 1-1.

Të dy golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e parë të takimit. Të parët që kaluan në avantazh ishin holandezët që shënuan me anë të El Hamdaoui në minutën e 23 të takimit. Por gëzimi i vendasve zgjat vetëm pak minuta, pasi në minutën e 37 Ibrahimoviç shënon golin golin që barazpeshon rezultatin dhe të parin si kundërshtar në “Amsterdam Arena”. Në pjesën e dytë megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave rezultati nuk ndryshon, Milan e Ajaks ndajnë nga një pikë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, një gol i Di Marias në minutën e 81 të takimit i jep Realit të Murinjos trepikëshin e dytë në këtë kompeticion dhe kryesimin e grupit G, duke lënë pas, Milanin me 4, Ajaksin me 1 dhe Aukserin me 0 pikë.

I kanë mjaftuar 45 minutat Bajernit të Mynihut për të përmbysur gjithçka me zvicerianët e Bazelit në ndeshjen e vlefshme për grupin E. Gjermanët edhe pse e mbyllën pjesën e parë në disavantazh të 1 goli, fituan 1-2 falë 2 golave të Shvajnshanger, i cili fillimisht shënoi me 11 metërsh në minutën e 56 dhe pastaj në të 89 golin e 3 pikëshit të dytë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Roma mundi me rezultatin 2-1 rumunët e Cluj. Të tre golat u shënuan në 45 minutëshin e dytë të takimit, fillimisht Mekses e Borrielo për italianët e për të ardhur tek goli i ngushtimit të rezultatit për rumunët, i shënuar nga Rada.

Në grupin F Celsi mundi Marsejën 2-0, falë dy golave të shënuar nga Terri dhe Anelka në që në pjesën e parë të takimit. Ndërkohë që ndeshja e luajtur më herët në këtë grup, ajo mes Spartakut të Moskës dhe Zilinës përfundoi 3-0 për rusët.

Në grupin H, Arsenali fitoi 1-3 ndaj Partizanit të Beogradit ndërsa Shakhtari tronditi 0-3 në Portugali Bragën.

Të mërkurën luhen ndeshjet e dyta të grupeve A, B, C dhe D, ku spikasin sfidat mes Interit dhe Verder Bremenit në grupin A dhe Valencias dhe Mançester Junajted në grupin C.

Top Channel