Bosnja zbulon anti-Shqipërinë

28/09/2010 13:05

Jo më shumë se 10 ditë na ndajnë nga ndeshja Shqipëri – Bosnjë-Hercegovinë më 8 tetor, por Safet Sushiç, trajneri i kundërshtarit tonë ka zbuluar dje listën e futbollistëve që do ketë në dispozicion për sfidën në kryeqytetin shqiptar.

Ai do të grumbullojë 20 lojtarët, të cilët luajnë në kampionate të ndryshme të Europës. Nuk do të jetë në dispozicion të Sushiç për shkak të dëmtimit sulmuesi i PAOK-ut, Zlatan Muslimovic, ndërsa ftohet për herë të parë në përfaqësues Muhammad Subasiç, i Olimpikut të Sarajevës, i vetmi që vjen nga kampionati boshnjak.

Ndërkohë që në listë janë emra të njohur të futbollit aktual si Miralem Pjanic (Lion), Misimoviç (Gallatasarai), Vedad Ibiseviç (Hofenhajm) dhe Edin Xheko (Volfsburg).

“Na pret një ndeshje shumë e sikletshme, ka deklaruar Sushiç, skuadra e të cilit në dy ndeshjet e para ka fituar 3-0 ndaj Luksemburgut dhe është mundur 2-0 në shtëpi nga Franca. Nëse duam të qëndrojmë në garë për vendin e dytë, duhet që nga Tirana të kthehemi me një rezultat të mirë. Shqiptarët janë ata që na tremben neve. Duhet edhe pak më shumë se një javë deri në ndeshjen ndaj tyre. Ne do të përgatitemi për të dhënë maksimumin, pasi e dimë që nuk ka për të qenë një ndeshje e lehtë për ne”. Grumbullimi i skuadrës është parashikuar më 4 tetor në hotel “Erzegovina” në Ilixha. Udhëtimi në drejtim të Tiranës është parashikuar një ditë para ndeshjes, më 7 tetor.

Top Channel