Dallku shënon në fitoren e Vorsklës

27/09/2010 13:50

Armend Dallku ka qenë protagonist në fitoren 2-1 që Vorskla Poltava ka arritur në ndeshjen e javës së 10-të të kampionatit ukrainas, përballë Metalurg Zaporizhjas.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare hapi serinë e golave në minutën e 21-të, duke devijuar në rrjetë një harkim nga goditja e këndit. Vorskla dyfishoi shifrat 13 minuta më vonë me Bezus, ndërsa golin e vetëm për miqtë e realizoi Arzhanov në minutën e 57-të.

Dallku luajti gjatë gjithë lojës, ndërsa sulmuesi kuqezi, Ahmed Januzi, u aktivizua si zëvendësues në minutën e 68-të. Nga lojtarët e tjerë kuqezi, dje kanë luajtur edhe Lorik Cana dhe Erjon Bogdani. Cana u aktivizua si titullar në fitoren 3-1 të Gallatasarait përballë Instambul Bujuksehir.

Mesfushori shqiptar është ndëshkuar me karton të verdhë, ndërsa në minutën e 59-të u zëvendësua nga Herri Kjuëll (pak çaste më vonë Gallatasarai pësoi gol). Bogdani luajti 90 minuta në humbjen 1-4 që Çezena pësoi përballë Napolit, ndërsa sulmuesi shqiptar ishte shumë i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës.

Top Channel