
Shpeshherë, fëmijët me probleme në zemër, trajtohen si të ftohur apo me virozë të zgjatur stine.
Mjekët e poliklinikave, apo qendrave shëndetësore në rrethe nuk bëjnë diagnostikim të saktë dhe nga ana tjetër, prindërit nuk marrin informacionin e duhur për të kontrolluar fëmijët e tyre në kohë. Në rastin e pacientëve të vegjël, që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, koha është një nga “shkaktarët” kryesorë të përkeqësimit të sëmundjes.
Shoqata “Një botë për një zemër” ka shfrytëzuar Ditën Botërore të Shëndetit për të Sëmurët në Zemër, për t’u bërë thirrje të gjithë prindërve që të jenë të kujdesshëm në ekzaminimet e fëmijëve të tyre që në momentin e lindjes. Kjo për të saktësuar në kohë problemet që mund të kenë fëmijët e tyre, sidomos problemet kardipatike. Në Shqipëri, bazuar në të dhënat nga Pediatria, rezultojnë të jenë 250-300 lindje në vit me probleme në zemër, nga ku 7-80% e tyre kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
“Një nga pengesat për zgjidhje në kohë të këtyre problemeve mbetet mentaliteti i shumë prindërve, për të mos deklaruar sëmundjen e fëmijëve, duke shkaktuar gjendje të rëndë në shumë fëmijë. Ndaj është e rëndësishme që të sensibilizohen fillimisht prindërit për rëndësinë e diagnostikimit në kohë, si dhe rrugën që duhet ndjekur për rastet e verifikimit të vesit në zemër”, tha presidenti i kësaj shoqate, Agim Baçi, i cili ka nisur një fushatë sensibilizimi për prindërit, që të mos neglizhojnë asnjë situatë të dyshimtë te fëmijët, sidomos në rastet e zhurmave në kraharor.
Ndërkaq, sipas Baçit, mungesa e pajisjeve të specializuara është një pengesë tjetër në përshpejtimin e saktësimit të diagnozave. “Ne do të kërkojmë ndihmë nga të gjitha organizmat dhe bizneset për të pajisur Spitalin e Pediatrisë së Specialiteteve në spitalin ‘Nënë Tereza’ me mjete moderne, ku ekzaminimi të jetë sapolindurit”, shprehet Baçi.
Top Channel