Radonjiç: Me Dinamon, sfida më e vështirë

25/09/2010 12:00

“Përballë Dinamos na pret sfida më e vështirë e këtyre pesë javëve të para të kampionatit, sepse përballë kemi kampionët në fuqi të Shqipërisë”.

Kjo është deklarata pa rezerva e trajnerit të Vllaznisë, Mojash Radonjiç, në prag të sfidës së sotme që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.

Takimi në Shkodër është padyshim më interesanti i javës së pestë të Kategorisë Superiore, ndërsa kuqeblutë kanë detyrën të fitojnë. Humbja e një jave më parë në fushën e Skënderbeut ka bërë që Vllaznia të shkëputet disi nga kreu. Megjithatë, Radonjiç ka parapërgatitur terrenin, duke lënë të kuptohet se një tjetër rezultat nga ai që sjell tri pikët nuk mund të quhet tragjedi.

Trajneri theksoi se e ka të qartë si mund të fitohet përballë dinamovitëve, ndërsa vuri në dukje një prej koncepteve më elementare të sportit të top-këmbës: “Vllaznia mund të marrë tri pikët në këtë ndeshje vetëm nëse luan më mirë se Dinamo. Në të kundër, rrezikojmë të humbasim”.

Shkodranët kanë mjaft probleme me mungesat e lojtarëve në prag të kësaj sfide. Nallbani, Gocaj e Jumiç nuk luajnë, pasi janë të dëmtuar, Rajoviç është i skualifikuar me kartonë, ndërsa Smajli, Sykaj e Semina nuk janë në formën optimale fizike. Duke parë situatën në kontingjent, drejtuesit të stolit do t’i duhet të improvizojë disi në formacion. Radonjiç nuk e ka fshehur faktin se Vllaznia do të hyjë në fushë me synimin për të mbrojtur, ndërsa më pas do të mendojë edhe për fazën ofensive. Trajneri shtoi: “E njoh mjaft mirë Dinamon dhe kam informacion të mjaftueshëm për këtë kundërshtar. Ata kanë një ekip cilësor dhe pretendojnë. Megjithatë, ne luajmë në fushën tonë dhe kërkojmë një rezultat pozitiv. Por, më parë duhet të jemi të rreshtuar mirë në mbrojtje. Duke pasur siguri në repartin difensiv, do të jemi më të qetë dhe të mendojmë për të sulmuar dhe për të shënuar”. Për t’i shtuar spektaklin përballjes së dy prej emrave më të mëdhenj të futbollit shqiptar, ndeshja në “Loro Boriçi” do të luhet me drita, ndërsa fërshëllima e startit do të bëhet në orën 17:30.

Sot do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera të Superiores. Në orën 15:00, në “Niko Dovana” Teuta e vendit të parafundit do të presë Flamurtarin kryesues. Durrsakët kërkojnë fitoren e parë në këtë kampionat (kanë dy barazime dhe dy humbje), ndërsa vlonjatët e Maganit synojnë të ruajnë kreun e klasifikimit. Çifti tjetër që do të zbresë në fushë është Bylis-Kastrioti, që do të përplasin brirët në Ballsh në orën 16:00. Aktiviteti elitar do të vazhdojë me dy ndeshjet që do të luhen nesër, ku Elbasani pret Skënderbeun, ndërsa Tirana ndeshet me Laçin. Java e pestë mbyllet me duelin e së hënës, ku Besa udhëton në Peqin.

Top Channel