KKRT: Kombëtarja është e TVSH-së

25/09/2010 15:30

Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit menjëherë pas informimit nga Radio Televizioni Shqiptar në lidhje me të drejtën e transmetimit të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Europian të përfaqësueses sonë, ka rikujtuar edhe një herë ekskluzivitetin që ka televizioni publik për të trasmetuar këto ndeshje.

Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për të zhvilluar tender rreth për ndeshjet e përfaqësueses ka detyruar Këshillin Kombëtar të Radiotelevizioneve që të sjellë ndërmend ligjin 8410 ku neni 77 thekson edhe një herë faktin se RTSH ka ekskluzivitetin e transmetimit të aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive me interes kombëtar për territorin e republikës së Shqipërisë.

Po sipas këtij neni RTSH-ja në të gjitha rastet ka ekskluzivitetin e transmetimit kur të drejtat janë në pronësi të federatave apo komiteteve shqiptare të lojrave.

Si rrjedhojë KKRT-ja duke parë si prioritare interesat e publikut, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga aktet ndërkombëtare në të cilat vendi ynë është palë, si Konventa Europiane e Televizionit, vlerëson se për këtë rast nuk duhet të cënohet ekskluziviteti i RTSH-së. KKRT kërkon edhe një herë bashkëpunimin midis FSHF dhe RTSH për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga palët, njëkohësisht në përputhje me aktet ligjore në fuqi.

Top Channel