Elbasani paguan 700 mijë lekë

25/09/2010 12:20

Ndeshja me Skënderbeun është shumë e rëndësishme për Elbasanin. Kjo jo vetëm për klasifikimin, ku verdheblutë ndodhen në vendin e 6-të me pesë pikë të grumbulluara në katër ndeshje, por edhe për faktin se të besuarit e Alimehmetit luajnë kundër një prej pretendenteve për titullin.

Pas “hapësirës” së krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, për ta konvertuar pezullimin e fushës në gjobë financiare, drejtuesit e Elbasanit nuk janë menduar dy herë. Gjatë ditës së djeshme ata kanë pranuar “ofertën” e institucionit që drejton futbollin dhe kanë paguar 700 mijë lekë të reja për t’i hapur dyert stadiumit të dielën për tifozët.

Drejtuesit e FSHF-së kanë konfirmuar se klubi i Elbasanit ka derdhur në arkat e këtij institucioni shifrën prej 700 mijë lekësh: 200 mijë për gjobën dhe 500 mijë për konvertimin e dënimit të fushës. Verdheblutë u dënuan me dy javë pa praninë e tifozëve, pas sendeve të forta të hedhura nga mbështetësit e skuadrës në sfidën e javës së parë me Tiranën. Ata luajtën me stadium të boshatisur ndeshjen e javës së tretë kundër Kastriotit, por drejtuesit e klubit kanë vlerësuar se sfida e së dielës kundër Skënderbeut është mjaft e rëndësishme për tifozët dhe kanë vendosur ta paguajnë gjobën. Vetëm pak kohë më parë, pas publikimit të dënimit nga Komisioni i Disiplinës, në Elbasan u shprehën të bindur se tifozeria nuk do të mungonte në këtë përballje të vlefshme për javën e pestë. Ishte vetë presidenti Arben Laze ai që hodhi idenë ekstreme të ngritjes së disa skelave rreth impiantit “Ruzhdi Bizhuta”, në mënyrë që skuadra të ndiente mbështetjen. Por, tashmë që gjoba është paguar, fansat kanë mundësi të ulen normalisht në stolat e stadiumit.

Top Channel