Kombëtarja, plas “lufta” RTSH-FSHF

24/09/2010 23:50

Shpërthen konflikti RTSH-FSHF. Shkak është bërë vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për t’ia hequr të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kombëtares Televizionit Publik Shqiptar, një vendim që sipas kryetarit të këshillit drejtues të RTSH, Agron Tufa, i takon me ligj TVSH-së sikundër ndodh në të gjithë vendet europiane.

“Një federatë, të gjitha federatat e mbështesin veprimtarinë e tyre në të ardhurat që ato nxjerrin nga burime të ndryshme ku e drejta televizive është kryesorja. Ne duke parë kërkesat në rritje për financim dhe në konsultim me juristët e federatës u vendos që të bëhet një ftesë për ofertë. Sipas vështrimit tonë juridik, kjo është e lejueshme. TVSH-ja ka prioritet në rast ofertash të barabarta”, tha Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.

“U konsultuam me ligjin dhe vendosëm të refuzojmë kërkesën që na ka ardhur nga federata e futbollit për pjesëmarrje në tender pasi nuk na lejon ligji që të bëhemi pjesëmarrës në një tender për një aktivitet që në ligj i takon vetëm TVSH-së. Unë bashkë me kolegët e mi bëmë thirrje për respektimin e ligjit”, tha kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Agron Tufa.

Sekretari i FSHF-së, Prodani thekson se tenderi i datës 29 shtator është i hapur për të gjitha televizionet qofshin lokale apo kombëtare.

“Ftesa për ofertë është e konceptueshme që në të të marrë pjesë kushdo, që në bazë të legjislacionit e ka të mundshme pjesëmarrjen në një garë të tillë, të vijë të ofrojë një çmim, ta blejë nëse është më i miri, dhe pastaj ta zbatojë në përputhje me kushtet njëri prej të cilëve është detyrimi për ta transmetuar në një televizion me liçencë kombëtare”, tha zoti Prodani.

Ndërkohë zoti Tufa refuzoi pjesëmarrjen e RTSH-së në ankand dhe shtoi se do të ndërmerren të gjitha proçedurat ligjore për respektimin e ligjit në fjalë.

“Ne nuk marrim pjesë në ankand sepse do të thotë shkelje flagrante e ligjit. Ne do  të ndjekim të gjitha proçeduar ligjore për respektimin e ligjit për rastin në fjalë”, tha kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Agron Tufa.

Në baze të ligjit për sportin, neni 32 organizatorët e veprimtarive sportive janë pronarë të së drejtës së transmetimit të kësaj veprimtarie. Ndërkohë që neni 33, ku parashikohet e drejta e transmetimit radioteleviziv të veprimtarive sportive të ekipeve kombëtare të Republikës së Shqipërisë, në rrugë ajrore, tokësore ose me çdo lloj mënyre tjetër transmetimi, rregullohet sipas nenit 77 të ligjit “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Duke iu referuar këtij neni, RTSH-ja gëzon të drejtën e transmetimit ekskluziv për territorin e Republikës së Shqipërisë të veprimtarive sportive me interes kombëtar.

Top Channel