Kredi për studentët, si do të zbatohet projekti

23/09/2010 08:45

Reforma e financimit të universiteteve publike apo private në vend tashmë ka nisur të diskutohet në grupe të gjera, si në institucionet e arsimit të lartë ashtu edhe nga përfaqësitë e studentëve. 

Ajo që dihet me siguri është se qeveria do të japë fonde shtetërore si për universitetet publike dhe ato private.

Ndërkohë që kriteret se si do të ndahen fondet e grumbulluara nga taksapaguesit shqiptarë ende nuk janë të “kthjella”.

Ministria e Arsimit ka përgatitur një draft, ku sqaron me kapituj pjesët kryesore se si mendohet zbatimi i reformës së financimit të universiteteve.

Më pas mbi këtë draft secili universitet do të punojë duke referuar sugjerimet e veta, mbi bazë argumentesh.

Sipas parashikimeve, mendohet se një pjesë e universiteteve do të rrëzohen nga kjo reformë dhe kjo do të bëjë që shpërndarja e fondeve në institucionet e arsimit të lartë të mos jetë e njëjtë.

Ndërkohë që tarifat shkollore në shtet do të rriten, në privat do të pësojnë ulje.

Të gjitha këto janë parashikimet e ekspertëve të arsimit, të cilët kanë sqaruar në detaje se si do të zbatohet dhënia e kredisë për studentët e ardhshëm, që do të jenë pjesë e auditorëve menjëherë pas miratimit të kësaj reforme.

Sipas draftit, të gjithë studentët, pa bursa, duhet të paguajnë tarifën e tyre të shkollimit dhe të sigurojnë kostot e jetesës gjatë studimeve.

Qeveria shqiptare do të ndërtojë një sistem kredidhënie më anë të të cilit studentët mund të marrin kredi të buta për të paguar tarifat e tyre, ndoshta edhe një kontribut për kostot e jetesës.

Të gjithë studentët që plotësojnë kushtet në institucionet e arsimit të lartë publike dhe jopublike, duhet të kenë të drejtën të marrin kredi studentore.

Kjo do të realizohet deri në një shumë maksimale të përcaktuar.

Shkalla e subvencionit të interesave, si dhe skema e kredidhënies, nëse do të realizohet nga banka të nivelit të dytë apo nga një agjenci publike, janë ende në shqyrtim.

“Në rrethana të caktuara, qeveria mund të përgatitet të amnistojë një pjesë të kredisë ose të gjithën. Në rastet kur është e pamundur për arsye madhore shlyerja e kredisë, politika në mbështetje të punësimit në zona të thella rurale”, sqaron drafti i Ministrisë së Arsimit.

Top Channel