Një ditë pas zbulimit të një tuneli nëpërmjet të cilit synohej të depërtohej brenda bankës “Intesa Sanpaolo” në Tiranë, hetuesit konfirmojnë se bëhet fjalë për një grup prej katër personash që kanë bashkëpunuar në planin e grabitjes së mbetur në tentativë.
Jo zyrtarisht mësohet se një person i tretë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim, ndërkohë që agjentët janë vënë në kërkim të gjurmëve edhe të bashkëpunëtorit të katërt.
Policia thotë për TCH se mjetet e sekuestruara në dyqanin e marrë me qera nga dy të arrestuarit janë tepër profesionale, nuk mund të përdoren nga kushdo dhe disa prej tyre dyshohet se janë siguruar jashtë vendit.
Po kush janë dy të arrestuarit që edhe pse dyshohet se janë profesionistë dhe përpilues të planit për grabitje u kapën në kushtet e flagrancës brenda dyqanit të marrë me qera, në një distancë prej 20 centimetra nga banka?
Njëri quhet Tahir Belegu, mosha 50 vjec, lindur dhe banues në Tiranë. Edhe pse i martuar, familja e tij ndodhet në SHBA, vend prej të cilit Belegu është kthyer pak muaj më parë, në pritje të bashkimit familjar.
Në pasaportën e tij policia gjeti hyrje-dalje të shumta nga Shqipëria, më e fundit e të cilave me destinacion Italinë.
Apartamentin e tij në Tiranë ai e kishte dhënë me qera dhe nuk banonte asnjëherë në të njëjtin vend. Nga survejimi i bërë ndaj tij thuhet se i pëlqenin lojrat e fatit, frekuentonte një rreth të ngushtë personash, njihej si ish-ndërtues në kryeqytet dhe së fundmi po tentonte të blinte toka në Rrashbull.
Kishte lënë pas një dënim prej katër vitesh burg në Itali pas një operacioni ku iu gjetën rreth 20 kg heroinë.
Mendohet se Belegu është personi që ka negociuar me pronarin për të marrë dyqanin me qera, edhe ky një shtetas që jeton në Amerikë me familjen e tij.
Tjetri është Taulant Troplini, 36 vjec, i martuar me dy fëmijë, lindur dhe banues në Tiranë. Së fundmi agjentët thonë se i pëlqente të lëvizte natën dhe sipas deklaratës së bashkëshortes së tij dhënë në polici, ai justifikohej në familje se kishte nisur një punë të re në ndërmarrjen e pastrimit.
I fiksuar pas pamjes së jashtme, atij i pëlqen të vishet me rroba të shtrenjta. I mësuar me burgun, ai ka lënë qelitë më herët pas një grabitjeje me maska të një grupi muzikantësh dasmash. Për këtë ngjarje ai qëndroi në qeli shtatë vjet.
Të kombinuar më së miri, jo vetëm për shkak të tipave të njëjtë por edhe të qëllimeve të përbashkëta, dëshirës për t’u pasuruar menjëherë, të dy të pandehurit kanë patur shoqëri të vjetër me njëri-tjetrin, miqësi të cilën po e mbajnë fare mirë edhe në qeli duke heshtur.
Top Channel