Interi shkatërron Barin

22/09/2010 22:55

Duket se idetë e trajnerit Benitez po zënë vend në skuadrën zikaltër. Kampionët në fuqi shkatërruan me rezultatin 4-0 Barin duke marrë të vetëm kryesimin e Serisë A me 10 pikë.

Dopjeta e Militos dhe ajo e Eto’o vulosën takimin e javës së katërt të kampionatit italian. Fillimisht shënoi Milito në minutën e 27 të takimit, më pas me nisjen e pjesës së dytë dyfishoi në të 50 Eto’o për të ardhur tek goli i tretë në minutën e 63 sërish me kamerunasin protagonist. Katër minuta nga përfundimi i takimit Milito vulos rezultatin e takimit. Inter fiton 4-0.

Ndërkohë, superndeshja e kësaj jave, ajo mes Lacios dhe Milanit mbyllet në barazim 1-1. Golat u shënuan nga Ibrahimoviç në të 66-ën për miqtë dhe Flokari në minutën e 81 për vendasit. Ky ishte barazimi i dytë radhazi për kuqezinjtë në Serinë A, pas atij me Katanian në San Siro.

Në ndeshjet e tjera, Kievo vazhdon paraqitjen perfekte teksa këtë javë ka dhuruar një fitore surprizë ndaj Napolit në transfertë me rezulatin 1-3, Leçe barazoi me Parmën 1-1, aq sa edhe Xhenoa me Fiorentinën, ndërsa Katania rikthen me këmbë në tokë Çezenan teksa e ka mundur atë me rezultatin e pastër 2-0, Kaljari barazoi pa gola me Sampdorian. Ndërkohë që 2-1 fituan edhe Breshia e Bolonja, përkatësisht kundër Romës dhe Udinezes.

Java e katërt e Serisë A mbyllet me ndeshjen Juventus-Palermo mbrëmjen e së enjtes.

Top Channel