Trajtimi i sportistëve, debat ne komisionin parlamentar

21/09/2010 20:15

Problemet në sportin shqiptar dhe së fundmi ato të peshngritësve elitarë janë diskutuar në Komisionin e Edukimit dhe Medias. 

Sipas deputetit të PS-së Fidel Ylli, shteti dhe qeveria duhet te kthejë më shumë vëmendjen ndaj sportistëve që me medaljet e tyre i bëjnë reklamë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Pse duhet të dalin sportistët ne mes të bulevardit me medalje në qafë? Pse nuk kane siguracione? Pse nuk u quhen këto vite pune? Jam këtu për të ndihmuar sportin”, tha deputeti socialist. Ish kampioni i Shqipërisë në mundje, tashmë në rolin e deputetit kërkon që Ministria e Sporteve të ushtrojë kontroll mbi të gjitha federatat për menaxhimin e fondeve publike.

Para disa ditësh pëshngritësit e Kombëtares Shqiptare kërcënuan me bojktim të botërorit në Turqi, nëse nuk do të përmirësohen kushtet e tyre, konflikt ky që u rregullua vetëm pas ndërhyrjes së kryeministrit Berisha. Pas këtyre debateve të nxehta në komisionin e medias, pritet që ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri të thirret në interpelance në Parlament.

Top Channel