Klodian Duro me shumë mundësi do të luajë sot që nga minuta e parë me Lask Linzin në ndeshjen ndaj Shturm Gracit.
“Situata është bërë qartësisht më e mirë”, deklaroi trajneri i Laskut, Helmut Kraft. Pas pesë humbjeve rresht mbërritën edhe dy rezultate befasuese: 1-0 kundër Rapidit të Salihit dhe 0-0 kundër Salzburgut.
Tripleta e realizuar në Kupën e Austrisë, sipas agjencisë austriake të lajmeve, APA, e ka bërë me krahë mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Klodian Duro, i cili duket se e ka fituar bluzën e titullarit. “Ai tregoi së fundi në Kupë dhe në paraqitjet e tij me Shqipërinë, që ndodhet në një formë të mirë fizike dhe nuk ka asnjë problem që të luajë 90 minuta kundër Shturmit. Është një organizator, i cili shpërndan me qetësi topat. Në të ardhmen do të na ndihmojë të gjejmë më shumë siguri. Por nuk e di nëse do të luajë që nga minuta e parë”, tha trajneri Kraft.
Top Channel