Bulku në telashe: UEFA i ndalon numrin 88

21/09/2010 11:30

Ervin Bulku është vënë në qendër të vëmendjes. Kjo nuk lidhet me paraqitjen e lojtarit të Kombëtares shqiptare me kroatët e Hajdukut të Splitit, por me një detaj teknik: numrin që mesfushori ka zgjedhur për të luajtur.

Gjatë gjithë karrierës si profesionist, ai ka pasur në shpinë numrin 8, por pas transferimit gjatë kësaj vere në radhët e “të bardhëve”, ai ka zbuluar se pronari i kësaj fanelle ishte Kresho Ljubiçiç.

Për skepticizëm, Bulku ka vendosur të mos i ndahet kësaj shifre, ndërsa ka zgjedhur të mbajë numrin 88. Por, ajo që kuqeziu nuk dinte ishte se kjo shifër është në listën e “të ndaluarave” nga UEFA.

Në fakt, menjëherë pas ndeshjes që Hajduku luajti në Europa League kundër grekëve të AEK-ut, në zyrat e klubit në Split ka mbërritur një letër nga institucioni që drejton futbollin në kontinent. Aty kërkohej që drejtuesit e skuadrës të jepnin shpjegime rreth faktit përse Bulku kishte zbritur në fushë me numrin 88. Gjithçka për faktin se huliganët e futbollit, apo grupimet e ndryshme naziskine e përdorin këtë numër për të nderuar Hitlerin.

Në përshëndetjet naziste, shifra 88 korrespondon me përshëndetjen “Heil Hitler”, për faktin se germa H renditet e teta në alfabetin gjerman. Duke qenë se lufta kundër racizmit është bërë prioriteti i UEFA-s gjatë këtyre viteve të fundit, drejtuesit në zyrat e Nionit kanë kërkuar nga klubi i Hajdukut, por edhe nga mesfushori shqiptar që të sqaronin pozicionin e tyre. Rreth këtij problemi ka folur edhe Bulku, i cili jo vetëm që ka sqaruar se nuk ishte në dijeni të përdorimit “alternativ” të këtij numri, por theksoi se nuk do ta kishte problem që të zgjidhte një numër tjetër. “Nuk kisha dijeni për diçka të tillë. Kjo vjen edhe për faktin se nuk jam shumë i interesuar rreth simboleve që përdoren”, nënvijëzoi 29-vjeçari.

Top Channel