Bogdani dhe Eto, yjet e Serisë A

21/09/2010 11:55

Java e tretë e Serisë A i ka dhuruar Italisë një kampionat të ekuilibruar dhe plot surpriza. Roma në krizë, Juventusi që ringrihet, apo Napoli që ringjallet.

Megjithatë, kopertina i takon dy protagonistëve absolutë të skuadrave kryesuese, Inter dhe Çezena: ata janë Samuel Eto dhe Erjon Bogdani, dy sulmues që e kanë nisur sezonin duke shënuar me “breshëri”. “Bomberat” shlyejnë në të njëjtën mënyrë besimin e marrë nga klubet respektive, megjithatë diferenca bëhet në pagesë.

Me 8 milionë euro neto në vit, kamerunasi i zikaltërve është mes lojtarëve që përfitojnë më shumë në Serinë A. Në anën tjetër, me rrogën 280 mijë euro, shqiptari është në listën e titullarëve më pak të paguar në Itali: në një sezon, kuqeziu merr thuajse 1/3 e asaj që Eto përfiton në muaj. Por, kjo nuk e ka ndaluar ta dërgojë topin në rrjetë dhe të jetë lideri i ecurisë mahnitëse të Çezenës, me dy gola të shënuar kundër Milanit dhe Leçes.

Bogdani është përfshirë edhe në formacionin më të mirë të Serisë A për javën e tretë, ku përkrah tij në sulm ishin Eto dhe Di Vaio, ndërsa zëvendësues të mundshëm Del Piero e Kualjarela. Për sa i takon triumfit të fundjavës, 33-vjeçari tha: “Jam i lumtur për tri pikët. Fitorja përballë Leçes, ishte më e vështirë se ajo me Milanin. Kjo për faktin se ata janë rivalët tanë direktë për mbijetesë. Katania në fundjavë? Duhet të shfrytëzojmë momentin pozitiv dhe jam i bindur se mund t’i ndëshkojmë kundërshtarët edhe kur luajmë jashtë fushe”.

Top Channel