Tirana, vetëm barazim në Krujë

20/09/2010 20:15

Ka përfunduar në barazim pa gola ndeshja e javës së katërt të Superligës, mes Kastriotit dhe Tiranës.

Ka qenë një ndeshje interesante kjo mes këtyre dy skuadrave të cilat kanë kërkuar me çdo kusht tre pikëshin, por në përfundim secila ka marrë vetëm nga një pikë pasi rrejtat mbetën të paprekura deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit.

Të vetmet raste për t’u shënuar ishin kartonat e kuq, për Tiranën Sina në pjesën e parë dhe për Kastriotin Zore në minutën e 76-të.

Pas kësaj jave të katërt të Superligës, Kastrioti regjistron barazimin e katërt, ndërkohë që Tirana shkon në kuotën e 5 pikëve.

Ndërkohë në kategorinë e parë Partizani debuton në këtë sezon të ri, por në javën e dytë me Lushnjen.

Kryeqytetasit janë mundur në Selman Stërmasi 0-2, duke konfirmuar edhe një herë problemet e brendshme që ka.

Një ndeshje me një nivel të dobët nga të dyja skuadrat, por është zgjidhur në pjesën e dytë me dy goditje nga distanca, në fillim Cota dhe më pas Metushi.

Me këtë fitore Lushnja mban kreun e Ligës së parë me 6 pikë, ndërkohë që Partizani në kuotën e 0 pikëve me një ndeshje më pak.

Top Channel