Përparim Daiu, trajneri i ri i Besës

20/09/2010 21:35

Përparim Daiu është trajneri i ri i Besës, i cili do të zëvendësojë të dorëhequrin Shpëtim Duro.

Menjëherë pas barazimit me Teutën 0-0 në Kavajë, trajneri i Besës Duro dha dorëheqjen e cila iu mohua në fillim nga presidenti Bizhdili.

Por këtë herë me sa duket ka qenë i pamundur rikthimi i tij, edhe pse kanë biseduar gjatë sëbashku ish-trajneri i Besës me presidentin Bizhdili, Duro ka vendosur të mbyllë aventurën e tij nën drejtimin e klubit kavajas, me të cilin arriti në sezonin e shkuar suksese historike, si fitorja e kupës dhe e Superkupës së Shqipërisë apo edhe vendi i dytë në kampionat.

Në këtë sezon kur janë zhvilluar 4 javë, Besa ka grumbulluar vetëm 2 barazime me Teutën dhe Flamurtarin dhe dy humbje me Skëndërbeun dhe Dinamon.

Mbrëmjen e së hënës presidenti Bizhdili ka konfirmuar se trajneri i ri i Besës deri në fundin e këtij sezoni do të jetë Përparim Daiu, i cili më parë ka drejtuar Shkumbinin.

Duro është trajneri i tretë që largohet në këtë sezon, pas Mirel Josës nga Shkumbini dhe Ilir Spahiut nga Bylisi.

Top Channel