Emërtimi i zonës që ndan Kosovën dhe Serbinë po përbën kontekstin se prej cilave pozicione do të diskutojnë të dyja vendet në dialogun e thirrur prej Kombeve të Bashkuara, si shtete të pavarura, apo pozicioni i Kosovës do të jetë më i ulët.

Zyrtarët në Prishtinë kanë kërcënuar se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve nëse në tekstin e temës ku flitet për bashkëpunimin në ruajtjen e kësaj zone, do të përmendej termi “vijë administrative”. Edhe ata në Beograd kanë dhënë të njëjtin kërcënim, por nëse në tekst zona do të kualifikohej si “kufi”.

Po u përfshi termi i parë, Kosova do të përcaktohej si një territor pa status, kurse termi i dytë do të nënkuptonte se niveli i bisedimeve është i karakterit ndërshtetëror. Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, ka thënë se detajeve do t’u kushtojnë vëmendje.

“Është herët të flasim për këto. Janë ende propozime dhe nuk është përpiluar axhenda. Por, nëse bisedohet në fushën e sigurisë rajonale, ne kemi deklaruar se mund të bashkëpunojmë vetëm si dy shtete të pavarura e sovrane dhe s’kemi çfarë të bisedojmë për kufirin administrativ. Për bashkëpunim ndërkombëtar po”, ka deklaruar ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.

“Natyrisht që ne nuk do të pranojmë çfarëdo sinjali se statusi i Kosovës është i papërcaktuar”, ka insistuar ai. Në anën tjetër, edhe qeveritarë të Serbisë kanë deklaruar se nuk do të pranonin të flisnin për ndonjë temë që cakton vijën ndarëse midis këtij shteti dhe Kosovës, duke e kualifikuar si kufi.

Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, ka theksuar se delegacioni serb që do të përfshihet në negociata, do të jetë shumë i kujdesshëm. Sipas tij, do të eliminohen terminologjitë që do të linin të kuptohej se negociatat zhvillohen midis dy shteteve.

Edhe pse zyrtarët e institucioneve të Kosovës kishin parashikuar se pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së dhe pas mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u miratua Rezoluta e Serbisë dhe BE-së për Kosovën, do të ketë një valë të njohjeve për pavarësinë e Kosovës, kjo nuk doli të jetë ashtu, thonë përfaqësuesit e klubit për politikë të jashtme.
Por, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, vazhdojnë të përsërisin se janë duke punuar sa më shumë dhe numri i njohjeve për vendin pritet të rritet.

Qerim Qerimi, këshilltar në Ministrinë e Jashtme, thotë se ministri Hyseni ka marrë premtime nga shumë shtete që së shpejti do ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Prej indikacioneve, ose shenjave që kemi, e që mbështeten në mënyrë të konsiderueshme mbi deklaratat e vetë përfaqësuesve të vendeve që nuk e kanë njohur ende, ne presim se do të ketë njohje, por numrin nuk mund ta themi publikisht, përpara se sa vendimet të komunikohen nga vetë shtetet që vendosin ta njohin Republikën e Kosovës”, bën të ditur Qerimi. Megjithatë, Qerimi nuk dëshiron të flasë shumë rreth premtimeve që janë dhënë nga vetë ministri i Jashtëm, Hyseni, se pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, do të rritet numri i njohjeve për Kosovën. Por, ai pohon se ministri ka deklaruar atë që i është premtuar nga përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur deri tani Kosovën.

“Ministri ka marrë një numër premtimesh nga përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, se pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të GJND-së, do të vendosin për shqyrtim njohjen e Republikës së Kosovës. Dhe çfarëdo deklarimi që është bërë për sa u përket njohjeve në periudhën e pasmendimit të GJND-së, i referohet deklaratave të përfaqësuesve të vetë shteteve, të cilët kanë theksuar se do ta vendosin për shqyrtim njohjen pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, shprehet Qerimi.

Top Channel