Duro: Shfrytëzova rastin, tani kampionati

20/09/2010 13:20

Klodian Duro shfaqet modest pas debutimit të shkëlqyer me LASK Linz. Mesfushori shqiptar realizoi tri gola në fitoren që skuadra e tij arriti në fushën e FC Solenau, në Kupën e Austrisë.

Kjo ishte ndeshja ku 32-vjeçari debutoi me LASK-un, që prej transferimit në ekipin e elitës austriake. Duro deklaroi: “Jam i lumtur që u kualifikuam në turin tjetër të kupës. Nuk e kam pasur problem që kam qëndruar në stolin e rezervave gjatë dy ndeshjeve të fundit, pasi skuadra është paraqitur mjaft mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Për sa i takon trigolëshit, shqiptari shtoi: “Prita shansin tim dhe jam i kënaqur që u aktivizova në ndeshjen e kupës. Më pëlqen të luaj futboll dhe jam i lumtur që m’u dha mundësia për të provuar një eksperiencë të re në Austri. Ndihem mirë në Linz, ndërsa skuadra më ka pritur shumë mirë. Jam i sigurt se do të punojmë që hap pas hapi të përmirësohemi edhe në kampionat”.

Paraqitja dhe golat e Duros nuk kanë qenë një surprizë për trajnerin Helmut Kraft. “Nuk më habit paraqitja e mirë e Klodianit, pasi ne i njihnim aftësitë e tij. Jam i lumtur që debutimi i Duros ishte kaq pozitiv, në një ndeshje ku ai arriti të shënonte tri gola”, tha tekniku i LASK Linz.

Top Channel