Stoner dominon garën e Spanjës

19/09/2010 20:45

Kejsi Stoner është fitues i garës së Cmimit të Madh të Aragonit në Spanjë. Piloti australian i Dukatit, që e nisi garën në pistën e Motorland nga vendi i parë, ishte perfekt gjatë gjithë 23 xhirove duke e kryesuar garën nga fillimi deri në fund.

Nuk mundi dot spanjolli i Hondës, Dani Pedrosa t’i kundërpërgjigjej Stoner dhe u detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Në podium u ngjit edhe piloti tjetër i Dukatit Niki Hejdën që u rendit në vendin e tretë.

‘Kentaki Kid’ e fitoi këtë pozicion vetëm në kthesat e fundit të garës duke parakaluar kryesuesin aktual të botërorit Horge Lorenzo i renditur në vendin e katërt.

Nuk arriti dot të bëjë më të mirën Valentino Rossi i cili nuk shkoi më shumë se vendi i gjashtë pas amerikanit të Jamahës, Ben Spis. Akoma më dobët u paraqit piloti tjetër italian Andrea Doviciozo që u rendit në vendin e 15.

Pas Cmimit të madh të Aragon, renditja për pilotë vazhdon të kryesohet nga Horge Lorenzo me 284 pikë. Dani Pedroza gjendet në vendin e dytë me 228 pikë, ndërsa Stoner ngjitet në kuotën e 155 pikëve.

Në klasifikimin për konstruktorë, vendi i parë vazhdon të mbahet nga Jamaha me 293 pikë. Nuk është shumë larg Honda e vendit të dytë që arrin në kuotën e 265 pikëve, ndërsa Dukati ndodhet në vendin e tretë me 195 pikë.
 

Top Channel