Skënderbeu mund Vllazninë

19/09/2010 19:55

Skëndërbeu ka regjistruar fitoren e tretë në katër javë të Superligës, duke mundur këtë herë në fushën e tij Vllazninë, me rezultatin 2-0.

Korçarët kërkonin me ngulm fitoren në këtë ndeshje pasi vinin nga humbja me Shkumbinin në javën e shkuar, ndërkohë Vllaznia kërkonte vazhdimësinë pas fitores 2-1 me Laçin.

Që në pjesën e parë shkondranët patën mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh me anë të një 11-metërshi. Kaci ndalet në mënyrë të parregullt brenda zonës nga Vrapi dhe gjyqtari akordon penallti.

Rajovic merr përsipër ekzekutimin e saj, por goditja e tij është krejtësisht amatore dhe Shehi pret. 0-0 u mbyll pjesa e parë ndërkohë që në të dytën Vllaznia mbetet me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të Rajovic i cili ndërhyn në mënyrë të parrgullt ndaj Bërkic dhe merr kartonin e dytë të verdhë.

Në epërsi numerike, vendasit bëhen më agresiv dhe arrijnë të gjejnë më pas dy herë rrugën e golit. Jolic është autori i të dy golave, zhbllokon rezultatin në minutën e 63-të dhe e vulos atë në minutën e 91-të të takimit.

Ndërkohë ndeshja tjetër e kësaj jave të katërt të Superligës mes Besës dhe Teutës ka përfunduar 0-0, duke i ndarë nga një pikë të dyja skuadrave të cilat pas 4 javësh ndodhen në kuotën e dy pikëve në vendet e fundit të renditjes.

Ky rezultat, që për kavajasit konsiderohet zhgënjyes ka sjellë dhe dorëheqjen e trajnerit Shpëtim Duros, e refuzuar nga presidenti Bizhdili.

Ndërsa Flamurtari ka marrë kreun e superligës falë fitores minimale 1-0 ndaj Bylisit.

Top Channel