Mainz kryeson Bundesligën

18/09/2010 19:25

Mainz ka mposhtur 2-0 Werder Bremen dhe falë barazimit të Hofenhajm në javën e katërt është ngjitur i vetëm në krye të Bundesligës me 12 pikë.

Skuadra e drejtuar nga Tuhel ka suprizuar edhe këtë javë duke fituar pastër në transfertë ndaj ekipit të Tomas Shaf.

Golat e triumfit për modestët e Mainz u shënuan të dy në pjesën e dytë të takimit. Në fillim Rise dhe më pas Shyrle kanë vendosur fatin e këtij takimi të luajtur në “Veser Shtadion”.

Ndërkohë, Bajerni i Mynihut rikonfirmon krizën e rezultateve edhe pas javës së katërt në futbollin gjerman.

Ekipi i Van Gal nuk ka mundur të fitojë as në fushën e “Allianz Arena” ndaj Këlnit, duke dalë me vetëm 1 pikë pas barazimit 0-0.

Morali pas fitores në Ligën e Kampioneve nuk i shërbeu aq sa duhet bavarezëve, të cilët në shtëpinë e tyre nuk mundën të kalonin portierin Mondragon, pritjet e të cilit i hoqën Bajernit 2 pikë dhe i dhuruan Këlnit 1 pikë në këtë transfertë të vështirë.

Pas këtij zhgënjimi të rradhës, Bajern ndodhet në kuotën e 5 pikëve dhe vazhdon të mbetet shumë larg kreut të Bundesligës.

Top Channel