FSHF paralajmëron deputetin Sulaj

16/09/2010 12:50

Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe donatori i Shkumbinit, Dashnor Sulaj, do të duhet të matet mirë para se të ndërmarrë iniciativën për t’u përfshirë në incidente të dhunshme ose sharje e ofendime ndaj gjyqtarëve, lojtarëve apo aktorëve të tjerë të futbollit.

Kjo për faktin se dje, më në fund ka mbërritur edhe paralajmërimi i FSHF-së, e cila thekson se nëse një gjë e tillë do të përsëritet në të ardhmen, deputeti do të shpallet “i padëshirueshëm” në stadiumet shqiptare për një kohë të caktuar.

FSHF gjatë javëve të fundit ka theksuar vazhdimisht nevojën për ashpërsimin në lidhje me ligjet për dhunën në sport.

Prej kohësh, drejtuesit më të lartë të top-këmbës në vend kanë denoncuar dhunën që ushtrohet nga tribuna VIP, ose rastet kur shpeshherë njerëz të veshur me pushtet shërbejnë si katalizatorë për veprimet ekstremiste të tifozëve, apo në rastin më të keq bëhen vetë protagonistë të dhunës. Dhe për Dashnor Sulajn, ai të së dielës së fundit nuk është i pari.

Donatori i Shkumbinit, deputet i PD-së, i njohur si një nga tifozët fanatikë të skuadrës peqinase, është një nga shembujt më domethënës kur flitet për dhunën në futboll me prejardhje nga tribuna Vip. Rastet e përfshirjes së këtij personi në aktet e dhunës në stadiume kanë qenë të shumta, aq sa më 16 shkurt 2010 ai u detyrua të bënte publikisht një deklaratë pendese. Bëhet fjalë pas ndeshjes Shkumbini-Tirana, 1-0, e shoqëruar me shumë incidente, ku protagonist ishte donatori dhe deputeti i Peqinit. Vetëm 24 orë më pas do të reagonte.

Në një prononcim për “Top Channel”, Sulaj rrëfente aso kohe sipas mënyrës së tij gjithçka që ndodhi në këto skena jo normale për një ndeshje futbolli. “I vetmi moment i acaruar ishte dalja me të kuqe e Tafajit dhe gjykoj se ishte një moment i drejtë nga gjyqtari. Unë kam dashur të hyj për një moment për t’i qetësuar dhe nuk më kanë lënë forcat e rendit. Nuk është situatë normale, por ne prej mishi dhe gjaku jemi”, tha Sulaj.

Top Channel